|
|
Ballkani
mbetet një ndër kërcënimet kryesore për stabilitetin e Evropës gjatë
vitit 2009. Kështu thuhet në raportin e e Inteligjencës Kombëtare
Amerikane, i cila u paraqit para Kongresit Amerikan nga vetë drejtori
Dennis Blair.
Ngjarjet në Ballkan sërish paraqesin kërcënimin
më të madh për stabilitetin e Evropës gjatë vitit 2009, pavarësisht
zhvillimeve pozitive të vitit të fundit, siç ishin shpallja paqësore e
pavarësisë së Kosovës nga Serbia, zgjedhja e udhëheqësve pro BE-së në
Beograd dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria dhe
Kroacia- thuhet në raportin e inteligjencës amerikane e cila citohet
nga radio Europa e Lirë.
Drejtori Dennis Blair mendon se
sfidat kryesore për stabilitetin do të vijnë nga statusi i pazgjidhur
politik i pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit, si
dhe nga raportet jo të lehta në mesin e komuniteteve në
Bosnjë-Hercegovinë.
Raporti që Dennis Blair paraqet para
kongresmenëve amerikanë ka të bëjë me kërcënimet kryesore të sigurisë
në botë për këtë vit.
Raporti thekson faktin se mbi 50 shtete
e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ku përfshihen dhe 22 nga 27 vendet
anëtare të Bashkimit Evropian. Në vitet që vijnë, Prishtina do të varet
nga ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik, si dhe
për sigurimin e integritetit territorial.
“Beogradi hapur
mbështet institucionet paralele të serbëve të Kosovës. Beogradi ka
përdorur mjete politike dhe juridike për të sfiduar dhe zhvleftësuar
sovranitetin e Prishtinës dhe për të kufizuar mandatin e EULEX-it,
misioni i të cilit synon t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në ngritjen
e policisë, drejtësisë dhe doganave shumetnike”- thuhet në raport .
”Kjo
ka forcuar ndarjen de facto të Kosovës në pjesën jugore me shumicë
shqiptare dhe në veriun e dominuar nga serbët. Një gjë e tillë ka
frustruar ndjeshëm shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, prania e KFOR-it
do të ndihmojë në pengimin e përhapjes së dhunës në shkallë të gjerë”-
vazhdon raporti.
Sa i përket Serbisë, raporti i Drejtorit të
Inteligjencës Amerikane, Dennis Blair, para Kongresit thekson se me
gjithë faktin se udhëheqësit serbë përkrahin një të ardhme evropiane
dhe presidenti Tadic dëshiron përparimin e shpejtë drejt anëtarësimit
në Bashkimin Evropian, sërish Beogradi nuk është i vullnetshëm për të
hequr dorë nga synimet ndaj Kosovës.
Beogradi vazhdon të
shikojë nga Moska për ndihmë diplomatike lidhur me Kosovën dhe në këtë
drejtim ishte dhe marrëveshja e përmbyllur së fundi me Rusinë në
sektorin e energjisë.
Një tjetër problem që vjen nga Ballkani
për sigurinë evropiane, sipas burimeve amerikane të zbulimit, është dhe
Bosnja. E ardhmja e Bosnjës si shtet shumetnik është në pikëpyetje,
ndonëse as ndonjë dhunë në shkallë të gjerë, as ndonjë ndarje nuk duken
të mundshme në afat të shkurtër.
Agjendat etnike ende
mbizotërojnë procesin politik. Mosmarrëveshjet në mesin e tre grupeve
kryesore etnike, gjatë 18 muajve të fundit, kanë penguar procesin e
ndërtimit të një qeverie qendrore që do ta çonte vendin drejt NATO-s
dhe BE-së.
Kërcënimet për shkëputje nga krerët e serbëve të
Bosnjës dhe thirrjet për eliminimin e entitetit të serbëve të Bosnjës
nga disa udhëheqës boshnjakë, kanë rritur tensionet ndëretnike ndoshta
në nivelin më të lartë në vite, përfundon raporti i drejtorit të
Inteligjencës Amerikane, Dennis Blair, para Kongresit.
Balkanweb
Categories: Politike
The words you entered did not match the given text. Please try again.

Oops!
Oops, you forgot something.